Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar dy ekstradime brenda dy ditëve. Më 23 shkurt 2026 u ekstradua nga Gjermania në Kosovë shtetasi kosovar G.B., i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë kosovare për veprën penale të mashtrimit. Ai i ishte shmangur drejtësisë, ndërsa ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit gjerman.
Më 24 shkurt 2026 u realizua ekstradimi i shtetasit turk T.M. nga Kosova drejt Maqedonisë së Veriut. Ai kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase për veprën penale të vrasjes dhe i ishte shmangur drejtësisë. Ekstradimi u krye përmes pikëkalimit kufitar Hani i Elezit nën masa të rrepta sigurie.
Bashkëpunimi policor
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor theksoi se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare. Qëllimi është parandalimi, hetimi dhe zbulimi i aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimi, kapja dhe arrestimi i personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.