Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një i ri. Viktima është identifikuar si shtetasi Johan Zuko, rreth 20 vjeç, i cili shërbente si ushtarak në Forcat e Armatosura.
Sipas informacioneve paraprake të grupit hetimor, ngjarja ka ndodhur pas një ndjekjeje në këmbë. Viktima, i cili nuk ishte banor i lagjes ku ndodhi krimi, është përpjekur të shpëtojë duke u fshehur në ambientet e një pallati. Autori i dyshuar e ka ndjekur deri në hyrje të objektit, ku më pas ka përdorur një armë automatike të tipit kallashnikov për ta ekzekutuar.
Pas kryerjes së krimit, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht vijon të jetë në kërkim nga shërbimet e Policisë së Korçës. Forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën për të mbledhur prova, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e dinamikës së krimit dhe përcaktimin e motivit të vrasjes.
Përditësime
Policia e Korçës ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, i cili ndodhet në arrati. Burimet zyrtare konfirmuan se autori ka precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje, ndërsa viktima dhe ai kanë qenë shokë fëmijërie. Hetimet zbuluan se konflikti mes tyre kishte nisur rreth orës 14:00 dhe ishte i mbartur. Në vendngjarje, policia sekuestroi si provë materiale një thikë të gjetur në dorën e viktimës. Deri më tani, autoritetet kanë shoqëruar 3 shtetas të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konfliktin e armatosur.
Zv/drejtori i Hetimit të Krimeve, Sejfulla Metko, konfirmoi se konflikti që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko nisi rreth orës 14:00 në rrugën 'Viktor Eftimiu', në lagjen nr. 15, larg vendit ku u ekzekutua viktima. Hetimet tregojnë se mes palëve ekzistonte një hasmëri e mbartur, për të cilën policia kishte pasur informacione dhe ndjekje të mëparshme. Pas ngjarjes, autori u pa duke u larguar në drejtim të varrezave të qytetit. Viktima nuk ishte më pjesëtar në detyrë, pasi kishte lënë Forcat e Armatosura dy muaj më parë.
Policia e Korçës, në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, arrestoi 20-vjeçarin Kristjan Sterjo si autorin e dyshuar të vrasjes. Operacioni u zhvillua në lagjen nr. 3 të qytetit. Efektivët gjetën dhe sekuestruan pushkën automatike që u përdor në krim. Autoritetet sqaruan se viktima ishte 21 vjeç, duke korrigjuar raportimet fillestare që e identifikonin si 20-vjeçar.