Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump të hënën, më 17 gusht, për të diskutuar zhvillimet e fundit rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë këtij komunikimi, kreu i shtetit turk nënvizoi nevojën për shfrytëzimin maksimal të diplomacisë për zbutjen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas njoftimeve nga Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Erdogan shprehu shpresën se negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit do të vijojnë, duke konfirmuar mbështetjen e Ankarasë për përpjekjet e paqes. Një tjetër temë e diskutuar ishte Marrëveshja e Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës, e cila u nënshkrua në fillim të muajit gusht mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite. Erdogan e vlerësoi këtë nismë si një tregues të qëndrimit të fortë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Lidhur me situatën në Gaza, Erdogan shprehu shqetësimin për rritjen e veprimeve të qeverisë izraelite ndaj palestinezëve, veçanërisht në një periudhë kur synohet kalimi në fazën e dytë të procesit të paqes. Ai siguroi se Turqia do të mbetet e angazhuar në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme dhe në nismat për rindërtimin e Gazës.