Ish-ministrja dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka ndërhyrë në debatin publik mbi projektet zhvillimore në Zvërnec dhe Rrjolli. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo theksoi se qytetarët nuk duhet të jenë thjesht spektatorë kur merren vendime që prekin pasuritë natyrore të vendit.
Meksi vuri në dukje se Shqipëria e ka nënshkruar Konventën e Aarhusit në vitin 1998 dhe e ka ratifikuar atë në vitin 2000. Sipas saj, ky instrument ndërkombëtar është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien. Ajo renditi tre parimet kryesore mbi të cilat mbështetet konventa:
• Të drejtën e qytetarëve për t'u informuar;
• Të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrje;
• Të drejtën për t'iu drejtuar institucioneve dhe drejtësisë për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Sipas ish-ministres, reagimi i qytetarëve është pjesë e një procesi demokratik që ndihmon në forcimin e besimit publik dhe parandalimin e konflikteve sociale. Ajo theksoi se transparenca dhe konsultimi publik, në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, nuk janë zgjedhje politike, por standarde që burojnë nga angazhimet ndërkombëtare të marra nga shteti shqiptar.