Trabzonspor u barazua 1-1 në shtëpi ndaj Başakşehir, në ndeshjen e së dielës, duke humbur hapin ndaj dy ekipeve kryesuese në garën për kualifikim në Ligën e Kampioneve.
Në këtë takim, futbollisti shqiptar Ernest Muçi ishte kthyer nga dëmtimi, por qëndroi tërësisht në pankinë. Sipas mediave turke, trajneri Fatih Tekke kishte biseduar me të për minutat e fundit dhe e kishte pyetur: "A mund të luash 10-15 minuta nëse ndjehesh rehat?".
Muçi u përgjigj negativisht dhe nuk hyri në fushë. Mediat turke shpjegojnë se ky refuzim lidhet me dëmtimin e tij të fundit, por edhe me pasigurinë kontraktuale. Aludohet se Trabzonspor nuk po blen kartonin e tij nga Beşiktaş, duke lënë në dyshim të ardhmen e tij.
Për këtë arsye, Muçi nuk dëshiron të rrezikojë një dëmtim të ri që mund ta mbajë jashtë deri në fund të sezonit dhe të pengojë një transferim përfundimtar nga Beşiktaş.