Ish-deputeti Ervin Salianji ka njoftuar vijimin e takimeve me mbështetësit e Partisë Demokratike në rrethe, duke ndalur këtë herë në Berat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai fton demokratët e Beratit të mblidhen të mërkurën në orën 17:00 në Pallatin e Kulturës. Sipas Salianjit, këto takime synojnë bashkimin e demokratëve dhe ndarjen e ideve për ta bërë Partinë Demokratike fituese. Ai thekson se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët është pjesë e vizionit për ringritjen e opozitës.
Në postimin e tij, Salianji shkruan: «Të mërkurë shihemi në Berat, tek Pallati i Kulturës, ora 17:00! Ta bëjmë Partinë Demokratike fituese. Kjo është arsyeja e takimeve me demokratët në çdo qytet. Ju pres për të ndarë ide, shqetësime dhe vizionin për Partinë Demokratike fituese!».
Këto takime zhvillohen në kuadër të një turi të nisur nga Salianji me bazën demokrate në disa qytete. Turi ka nxitur reagime dhe përplasje me lidershipin e Partisë Demokratike.
Dy ditë më parë, Sali Berisha deklaroi se Salianji nuk ka asnjë gjë të përbashkët me partinë. Salianji iu kundërvajt duke thënë se nuk ka nevojë të tregojë lidhjen e tij me PD-në, pasi kontributi dhe sakrificat e tij janë të njohura për çdo demokrat. Ai theksoi se partia nuk është pronë personale e Berishës dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe, por shtëpia politike e demokratëve.
Përditësime
Dega e PD-së në Berat reagoi me një mesazh zyrtar për anëtarët, duke e quajtur Ervin Salianji-n "të vetëpërjashtuar nga PD".
Mesazhi e akuzon takimin si me "agjendë tërësisht private" në shërbim të Edi Ramës dhe qeverisë, të organizuar me ndihmën e segmenteve të pushtetit lokal dhe krimit të organizuar.
PD Berat u bën thirrje anëtarëve të distancohen nga takimi.
Dega e PD Berat publikoi mesazhin zyrtar të ftesës, që fillon me "I dashur anëtar i PD Berat" dhe fton në "foltoren e radhës" nesër.