305 amendamente janë paraqitur nga deputetët e Parlamentit Europian për projekt-raportin e vitit 2025 mbi Shqipërinë. Këto amendamente, të cilat do të shqyrtohen në seancën përkatëse, shprehin shqetësim për klimën e polarizuar politike, Reformën në Drejtësi dhe çështje të tjera. Nga këto, 26 amendamente vijnë nga Partia Popullore Europiane.
Amendamenti 84, i paraqitur nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder bashkë me Adnan Dibrani, Tonino Picula, Matjaž Nemec, Thijs Reuten dhe Marco Tarquinio, shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues. Ai thekson se këto fenomene minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Amendamenti rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale.
Lidhur me Belinda Balluku, ish-zv.kryeministren dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, amendamenti 111 i eurodeputetit Ivaylo Valchev shpreh keqardhje për vendimin e kryetarit të Kuvendit për të shtyrë votimin mbi heqjen e imunitetit të saj. Ai e cilëson këtë vendim arbitrar dhe pa bazë ligjore, duke bërë thirrje për adresimin e çështjes pa vonesë. Amendamenti nënvizon se imuniteti parlamentar nuk duhet të shërbejë si mburojë nga shqyrtimi gjyqësor dhe se procedurat duhet të zhvillohen në mënyrë transparente.
Amendamenti 114, nga Andreas Schieder, vlerëson përparimet në kuadrin ligjor kundër korrupsionit, por thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz. Kërkohet konsolidimi i hetimeve, ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivele të larta. Mirëpret miratimin e ligjeve kyçe për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe konfliktin e interesit, si dhe zbatimin e tyre të plotë.
Eurodeputeti David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm, mirëpret vazhdimin e Reformës në Drejtësi dhe punën e SPAK-ut, duke kërkuar garantimin e pavarësisë, burimeve dhe kapaciteteve të tij. Amendamenti 253 nga Schieder përgëzon Shqipërinë për përputhjen me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe bashkëpunimin në Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Mes amendamenteve përmenden edhe zgjedhjet e vitit 2025 si të pabarabarta.
Përditësime
Sali Berisha ndikoi në depozitimin e 26 amendamenteve nga PPE gjatë vizitës së tij në samitin për 50-vjetorin e grupit. Amendamenti i Andrey Kovatchev (PPE) përmend detaje për zgjedhjet 2025: presion mbi punonjësit e administratës, blerje votash, kërcënime dhe mungesë ndarjeje midis shtetit dhe partisë. Ai kërkon reformë zgjedhore në bashkëpunim me OSBE/ODIHR dhe Komisionin e Venecias. Gjuha e amendamenteve të PPE-së është më e ashpër se drafti i Schieder-it për situatën politike dhe zgjedhjet.