Agjencia për Zbatim të Ligjit e Bashkimit Evropian ka zhvilluar një operacion të koordinuar kundër përmbajtjes terroriste online të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Qëllimi ishte identifikimi dhe ndërprerja e pranisë digjitale të grupit, i cili përdorej për përhapje propagande, rekrutim mbështetësish dhe mbledhje fondesh.
Në operacion u përfshinë autoritete nga 19 shtete: Austria, Belgjika, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara. Puna u krye nën koordinimin e EUROPOL-it gjatë periudhës nga 13 shkurti deri më 28 prill.
Përmbajtja propaganduese u shpërnda në platforma të mëdha të mediave sociale, shërbime transmetimi, blogje dhe ueb-faqe të pavarura. Ajo u identifikua në gjuhë të ndryshme, përfshirë arabisht, anglisht, frëngjisht, persisht dhe spanjisht. Materialet përfshinin fjalime me narrativë fetare dhe politike, si dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale që lavdëronin Gardën Revolucionare dhe bënin thirrje për hakmarrje pas vrasjes së liderit suprem iranian Ali Khamenei më 28 shkurt.
EUROPOL njoftoi se llogaria e IRGC-së në platformën X, me rreth 150 mijë ndjekës, është bllokuar në territorin e Bashkimit Evropian. Hetimet zbuluan gjithashtu përdorimin e rrjeteve digjitale në Rusi dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe të kriptovalutave për financimin e aktiviteteve propaganduese.
Përditësime
Ayatollah Ali Khamenei u vra më 28 shkurt gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, në fillim të luftës kundër Iranit.