Autoritetet e New York-ut shpallën gjendje emergjente në Midtown Manhattan pasi një ndërtesë 38-katëshe shfaqi rrezik shembjeje. Alarmi u dha pak para orës 08:00, kur nga objekti i vendosur në adresën 235 East 42nd Street, pranë Grand Central Terminal, filluan të bien tulla.
Sipas Departamentit të Ndërtesave të Qytetit të New York-ut, një zyrtar sigurie raportoi dëmtime të rënda në një tra metalik në katin e 21-të të ndërtesës. Për më tepër, Departamenti i Zjarrfikësve (FDNY) konfirmoi se dy kolona mbajtëse brenda godinës kishin filluar të përkuleshin, ndërsa katet e sipërme tregonin shenja fundosjeje. Objekti në fjalë, ish-selia e kompanisë farmaceutike Pfizer, është aktualisht në proces transformimi në një kompleks banimi me mbi 1,600 apartamente, që pritet të përfundojë në vitin 2027.
Si masë sigurie, punëtorët e kantierit u evakuuan menjëherë. Autoritetet urdhëruan gjithashtu evakuimin e dy godinave fqinje në adresat 225 dhe 221 East 43rd Street. Evakuimi u shtri edhe te hotele, dyqane dhe apartamente të tjera në zonën përreth, ndërsa qarkullimi rrugor është bllokuar për të lehtësuar ndërhyrjen e inxhinierëve dhe ekipeve të sigurisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve që të shmangin zonën dhe të shfrytëzojnë itinerare alternative derisa të përfundojnë inspektimet teknike dhe të garantohet stabiliteti i strukturës.