Më 10 shkurt, persona të paidentifikuar me veshje civile kanë hyrë në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, duke kërkuar që brenda 30 ditëve Fakulteti i Shkencave Teknike të lirojë objektin ku ndodhet ose të nisë pagesën e qirasë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur këtë ngjarje. Shefi i kësaj zyre, Petar Petkoviq, ia ka transmetuar informacionin zëvendësdrejtorit të Shërbimit Diplomatik Evropian për Evropën Perëndimore, Emanuel Giaufret. Ai e ka vlerësuar si shenjë se autoritetet e Kosovës “po i qërojnë hesapet me Universitetin serb”.
Universiteti i Mitrovicës së Veriut, si dhe institucionet e tjera arsimore dhe shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë, funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.
Mediat që raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë kanë njoftuar më parë se Rektoratit në Mitrovicën e Veriut i është dorëzuar një letër nga Universiteti i Prishtinës, ku thuhet se Fakulteti i Shkencave Teknike po përdor objektin në mënyrë të paligjshme dhe duhet ta lirojë ose të rregullojë përdorimin brenda 30 ditëve.
Rektori Nebojša Arsiq ka deklaruar për portalin Kossev se fakulteti nuk funksionon në sistemin ligjor të Kosovës dhe nuk mund të përgjigjet institucionalisht. Ai ka shtuar se pret udhëzime për hapat e mëtejshëm.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar rektorateve të universiteteve në Mitrovicë dhe Prishtinë për detaje të mëtejshme, por nuk ka marrë përgjigje.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 16 janar, ka deklaruar se krahas zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, është e nevojshme integrimi i institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe. Ai ka theksuar se procesi do të zbatohet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe do të merrë parasysh shqetësimet e komuniteteve joshumicë. Në Kosovë ka nisur zbatimi i fazës së parë të Ligjit për të Huajt.