Familja e një foshnjeje, e lindur pa shenja jete në dhjetor të vitit 2022, ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Padia pason ngjarjen e rëndë të dhjetorit 2022, kur trupi i fetusit, i nxjerrë përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale, u gjet në një lavatriçe të spitalit.
Sipas dokumenteve të siguruara, më 13 dhjetor 2022, pas konstatimit të mungesës së rrahjeve të zemrës, fetusi ishte nxjerrë nga reparti i obstetrikës. Familjarët pretendojnë se personeli spitalor tregoi neglizhencë gjatë sistemimit të trupit të pajetë. Sipas padisë, familja vërejti parregullsi kur shkuan të merrnin trupin për ceremoninë e varrimit, duke pretenduar se foshnja nuk ishte mbështjellë sipas rregullave, por ishte futur në një qese të mbeturinave (rrobalarëse). Avokatja e familjes, Saranda Keqekolla-Sadiku, bëri të ditur se seanca gjyqësore për këtë padi do të mbahet nesër.
Ndërkohë, një proces penal po zhvillohet për këtë rast. Në aktakuzën e ngritur, dy të pandehur akuzohen për veprën penale "Dëmtim i varrezave apo kufomave" nga neni 413, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në cilësinë e dëshmitarëve janë thirrur katër pjesëtarë të stafit spitalor dhe një inspektor shëndetësor. Prokuroria ka pranuar raportin informues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë mbi ngjarjen, ku përshkruhet procedura e ndjekur pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Prindërit e foshnjës kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni të situatës deri në momentin e dorëzimit të kufomës. Babai i foshnjës theksoi se kishte qenë në përgatitje e sipër për ceremoninë mortore dhe kishte hapur varrin, pa pasur dijeni për trajtimin e gabuar të trupit në spital.