Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore të QKUK-së, i referuar nga QKMF Lipjan, për plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, ai ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë dhe dyshime për kequshqyerje, si dhe vështirësi në komunikim, konfirmoi Mirlinda Qyqalla nga zyra për media e QKUK-së.
Menjëherë pas pranimit, janë realizuar konsultime nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë, Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë. Fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve vazhdon, me konsultime multidisiplinare nga kirurgu vaskular, kirurgu plastik dhe ortopedi, si dhe mbështetje psikosociale nga psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtorët socialë.
Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim, QKUK-ja ka njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, sipas procedurave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve. Aktualisht, fëmija ndodhet pa përkujdesje prindërore apo kujdestar ligjor, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë.
Dy prindërit janë ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, për dyshime për veprat penale "Shkelja e detyrimeve familjare" sipas nenit 244 dhe "Lëndim i rëndë trupor" sipas nenit 186 të Kodit Penal të Kosovës. Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes zëdhënares Kaltrina Shala, konfirmoi se prokurori do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatë brenda afatit ligjor. Hetimet vazhdojnë, pa detaje të tjera për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Përditësime
QPS Lipjan ishte në dijeni për gjendjen mendore të prindërve dhe situatën familjare më herët, por fëmija 5-vjeçar vazhdoi të jetonte me ta deri në situatë kritike.
- Familja ka disa fëmijë.
- Makfire Shamolli, drejtoreshë e QPS Lipjan, dha deklarata të reja mbi masat mbrojtëse të marra.
Fëmija 5-vjeçar vazhdon në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabilë në Kujdesin Intensiv të QKUK-së.
- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi fëmijën.
- Autoritetet koordinuan me ministrin Andi Hoti dhe Qendrën për Punë Sociale në Lipjan për mbrojtje ligjore dhe sociale.
Qendra për Punë Sociale në Lipjan ka marrë në përkujdesje gjashtë fëmijë të tjerë të familjes.
Ekipet e Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike në QKUK kryen intervenim kirurgjik në shputat e fëmijës 5-vjeçar. Pacienti doli nga operacioni në gjendje të qëndrueshme dhe u transferua në Kujdesin Intensiv Pediatrik për kujdes postoperativ.
Gjykata ka caktuar prindërve të fëmijës 5-vjeçar nga Lipjani masën e paraburgimit prej një muaji.
Blerim Shabani, drejtor i Departamentit për Politikë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, deklaroi se po presin raportin preliminar dhe shpjegoi procesin e vlerësimit.
- Rastet e tilla u takojnë ekskluzivisht komunave.
- Në Kosovë funksionojnë 38 Qendra për Punë Sociale, nga një për komunë, të menaxhuara drejtpërdrejt nga komuna.