Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia vizitoi fëmijën 5-vjeçar nga Lipjani, i cili po trajtohet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Fëmija u pranua në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, me ndryshime gangrenoze, dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Menjëherë pas pranimit u realizuan konsultime me kirurgun plastik dhe pediatrin, të cilët rekomanduan hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë, konkretisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik.
Aktualisht, fëmija ndodhet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një ekipi multidisiplinar, i cili përfshin konsultime të rregullta me kirurgun vaskular, kirurgun plastik, ortopedin, psikologun, psikiaterin e fëmijëve dhe punëtorët socialë. Trajtimi intensiv i plagëve vazhdon, së bashku me ekzaminime laboratorike e imazherike, ndërsa parametra vitalë janë stabilë.
Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim, u njoftuan Policia dhe punëtorët socialë, në përputhje me procedurat ligjore. Fëmija nuk ka përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe trajtohet sipas protokolleve për mbrojtjen e fëmijëve në situata të tilla.