Një fëmijë, i cili kishte rënë në ujë në një prej restoranteve të qytetit të Mitrovicës, është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit mjekësor. Pas incidentit, fëmija u dërgua në gjendje të rënduar shëndetësore në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, nga ekipi i Urgjencës së Qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, pediatrja Dr. Pranvera Rexha ishte e pranishme në vendngjarje dhe kishte reaguar menjëherë me masa reanimatore. Me mbërritjen në Emergjencë, ekipi mjekësor ndërmori masa të mëtejshme për stabilizimin e gjendjes së fëmijës. Në ekipin e angazhuar bënin pjesë:
• Dr. Mirjeta Binakaj Gërxhaliu, specialiste e emergjencës
• Dr. Veton Pllana, mjek i anestezionit
• Gjyljeta Hajdari, Saranda Rexha, Luljeta Sadiku dhe Afrim Syla, infermierë
• Musa Kurti, teknik i anestezionit
Pas stabilizimit të parametrave shëndetësorë, fëmija u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nën përcjelljen e mjekut emergjent dhe infermierëve, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar.
Përditësime
Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” ka saktësuar listën e stafit mjekësor që ndërhyri për stabilizimin e fëmijës në Mitrovicë. Infermierja e identifikuar më parë si 'Gjyljeta' është Xhyljeta Hajdari, ndërsa ekipit të anestezionit i është shtuar teknikja Selvete Hajdari.