Në ditën e shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), familjarë, ish-bashkëluftëtarë dhe banorë të fshatit Negroc janë mbledhur për të ndjekur zhvillimet nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ata kanë shprehur besimin e plotë se Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të shpallen të pafajshëm.
Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, ka theksuar para mediave se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se obligimi ndaj popullit të Kosovës është përmbushur me kohë. Sipas tij, procesi gjyqësor është shoqëruar me dëshmi të diskutueshme, ndërsa theksoi se përgjegjësia për krimet e ndodhura në luftë i takon Serbisë.
“Arsye për t’u dënuar nuk ka, pasi krimet monstruoze i ka kryer Serbia,” u shpreh Avdyl Krasniqi. Ai shtoi se pret që trupi gjykues të orientohet drejt provave dhe fakteve gjatë marrjes së vendimit final. Në deklarimet e tij, ai preku gjithashtu ndjesinë e dhimbjes familjare për humbjen e një vëllai, duke nënvizuar se mungesa e Jakup Krasniqit në ceremonitë mortore ka qenë një peshë e rëndë për familjen, e cila është lehtësuar nga mbështetja e qytetarëve nga gjithë Kosova.