Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u dërgoi ftesa familjarëve për një takim në Presidencë. Qëllimi i këtyre takimeve, sipas Presidencës, është koordinimi i strategjisë shtetërore në lidhje me procesin gjyqësor, ku parashihej pjesëmarrja e ministrave Andin Hoti dhe Ejup Maqedonci.
Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit publikuan një letër të përbashkët përmes Altin Krasniqit, djalit të Jakup Krasniqit. Në këtë njoftim, familjarët shprehën mirënjohje për mbështetjen e popullit, por konfirmuan se nuk do t'i përgjigjen pozitivisht ftesës në këtë moment. Sipas tyre, takimi duhet të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, me qëllim shmangien e keqkuptimeve për ndikime familjare në vendimmarrjen institucionale. Ata kërkuan sjellje të përgjegjshme nga të zgjedhurit e popullit për mbrojtjen e Kushtetutës.
Zyra e Presidentes bëri të ditur se, ndonëse takimi i parë është parashikuar në Presidencë për peshën e tij institucionale, Albulena Haxhiu është e gatshme t'i vizitojë familjet edhe në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, familja e Rexhep Selimit, përmes bashkëshortes Shqipe Selimi, është shprehur pozitivisht ndaj ftesës, duke u diferencuar nga qëndrimi i tri familjeve të tjera. Aktualisht, në Kosovë dhe në diasporë po mbahen protesta lidhur me aktgjykimet e dhëna nga Gjykata Speciale.