Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protesta e vazhdueshme qytetare, e cila ka mbërritur në ditën e saj të 94-t. Sipas tij, përballja me qeverinë zhvillohet në kushtet e një regjimi dhe vijimësia e kësaj lëvizjeje do të varet nga aftësia e qytetarëve për t’u riorganizuar dhe për të përfshirë grupe të reja shoqërore, duke ruajtur një vizion të qartë për Shqipërinë.
Në lidhje me arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, në kuadër të dosjes “AKSHI”, Lubonja shprehu mëdyshje mbi prapaskenat e aksionit policor. Ai pyeti për arsyet e vonesës së ndalimit të tij dhe shtroi hipoteza nëse arrestimi lidhet me ndryshimet në kupolën e policisë, me një konflikt mes fraksioneve, apo me një marrëveshje për të qetësuar opinionin publik. Sipas analistit, Agasi ka vepruar si koordinator mes krimit të organizuar dhe pushtetit, por nuk mund të shihet si i vetëm, pasi fuqia e tij është krijuar nga sistemi i vendosur nga kryeministri Edi Rama.
Kritikat mbi qeverisjen dhe drejtësinë
Lubonja vuri në pikëpyetje funksionimin e reformës në drejtësi, duke argumentuar se në terren ka ndodhur e kundërta e asaj që u premtua, me një shtim të lejeve të ndërtimit. Ai deklaroi se kompetencat për këto leje janë përqendruar te kryeministri, duke krijuar terren për pastrim parash. Në këtë kontekst, analisti kërkoi sqarime nga SPAK në lidhje me të ashtuquajturën “Dosja Aruba”, për të cilën thuhet se përfshin persona të qeverisë. Ai theksoi se mungesa e besimit te shteti ligjor mbetet një sfidë kryesore në vend.