Presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Këto amendamente janë hartuar nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
Juristi Faton Fetahu ka reaguar ndaj kësaj nisme, duke e cilësuar atë papërgjegjëse dhe juridikisht absurde. Ai deklaroi se nisma për procedimin dhe votimin e amendamenteve, të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën, përbën një veprim të papërgjegjshëm.
Fetahu iu referua aktgjykimeve KO29/12 dhe KO48/12 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sipas këtyre vendimeve, Amendamenti 3, që ndryshon nenin 86 për zgjedhjen e presidentit – konkretisht paragrafi 3 që kufizon kandidimin vetëm për subjektet që kanë kaluar pragun zgjedhor – bie ndesh me Kapitullin II të Kushtetutës.
Ai shtroi pyetjen: "Si mund të propozohet për votim një amendament që nuk e ka kaluar testin kushtetues?" Për Faton Fetahun, ky veprim tregon mungesë elementare njohjeje të Kushtetutës dhe procedurës kushtetuese, më shumë se një gabim, por një tallje me rendin kushtetues.