Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Cooperation”. Në pranga kanë rënë shtetasit L. R. (37 vjeç) dhe A. H. (32 vjeç), të dy banues në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë zbardhur 6 raste të vjedhjes së automjeteve të kryera gjatë muajit shtator: 1 në Kavajë, 3 në Durrës dhe 2 në Tiranë. Në njërin prej rasteve në kryeqytet, dyshohet se autorët kanë kanosur me thikë pronarin e mjetit. Përveç vjedhjeve të makinave, shtetasi A. H. dyshohet se ka vjedhur me dhunë xhiron ditore të një pike karburanti në Bulqizë, ngjarje e ndodhur më 17 shtator 2026.
Arrestimi i tyre u realizua pas lokalizimit të automjetit me targa të huaja që përdornin, i cili rezultoi i vjedhur. Gjatë operacionit, të dyshuarit nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Këta shtetas ishin shpallur në kërkim që prej datës 24 shtator 2026, kur pas vjedhjes së një automjeti në Kavajë, u ndihmuan nga shtetasit L. D. dhe B. S., të cilët u arrestuan më herët për kundërshtim me dhunë të forcave të rendit.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar:
• 4 automjete;
• 3 targa;
• 3 çelësa automjetesh;
• 4 telefona celularë;
• Veshje të përdorura gjatë veprave penale dhe mjete për hapjen e automjeteve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.