Në pikën kufitare Morinë midis Shqipërisë dhe Kosovës është regjistruar fluks i lartë lëvizjesh. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas policisë kufitare, kanë kaluar mbi 13 mijë qytetarë dhe rreth 9 mijë automjete në hyrje dhe dalje të territorit të Shqipërisë.
Shumë qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar drejt qyteteve të ndryshme të Shqipërisë për të kaluar fundjavën. Një pjesë e tyre, si në mënyrë të organizuar ashtu edhe individuale, janë nisur drejt qyteteve bregdetare. Për një grup të rinjsh nga Prishtina, Tirana është qyteti që ofron më shumë mundësi për të kaluar fundjavën dhe për argëtim.
Ky fluks shpjegohet me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, pas 30 ditësh agjërimi, dhe festën e Fiter Bajramit. Përmirësimi i kushteve të motit të shtunës, krahasuar me dy ditë më parë, ka rritur lëvizjet në pikat kufitare.
Janë vërejtur edhe lëvizje nga Shqipëria drejt Kosovës. Policia kufitare ka operuar me procedurë të thjeshtuar të kalimit të kufirit, pa kryer kontrolle për automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.