Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se lufta në Iran, e nisur më 28 shkurt, rrezikon të shkaktojë një "goditje globale, por asimetrike", duke rënduar perspektivat ekonomike në mbarë botën, veçanërisht për vendet që sapo kishin nisur rimëkëmbjen nga krizat e mëparshme.
Sipas FMN-së, vendet në Afrikë dhe Azi, të varura nga importet e naftës, po përballen me vështirësi për të siguruar furnizime, edhe me çmime më të larta. Institucioni thekson se gjithçka çon drejt çmimeve më të larta dhe rritjes ekonomike më të ulët. Ndikimi përfundimtar varet nga kohëzgjatja e konfliktit: nëse tensionet vazhdojnë, energjia mbetet e shtrenjtë, inflacioni i vështirë për t’u kontrolluar, në klimë pasigurie gjeopolitike.
Rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve
Nafta e tipit Brent crude u rrit drejt 115 dollarëve për fuçi në tregtimet e së hënës, duke u drejtuar drejt rritjes mujore më të madhe të regjistruar, ndërsa tensionet në rajon përshkallëzohen. Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur kërcënimet për goditje ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit, duke shtuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm.
Përtej energjisë, FMN paralajmëron rritje të çmimeve të ushqimeve dhe plehrave kimike, që prek vende nga Lindja e Mesme deri në Amerikën Latine. Vendet më të dobëta ekonomikisht rrezikojnë pasiguri ushqimore të shtuar, ndërsa ndërprerjet në furnizimin me lëndë ushqyese për bujqësinë, sidomos nga Gjiri Persik, mund të dëmtojnë prodhimin bujqësor këtë vit.
Ekspozimi i vendeve të varfra
FMN thekson se popullsitë në vendet me të ardhura të ulëta janë më të rrezikuarat, pasi ushqimi përbën rreth 36% të shpenzimeve të tyre, krahasuar me 20% në ekonomitë në zhvillim dhe vetëm 9% në vendet e zhvilluara. Kjo e bën çdo rritje çmimesh jo vetëm problem ekonomik, por edhe social.