Forcat Detare shqiptare dhe turke zhvilluan një stërvitje të përbashkët në Gjirin e Vlorës dhe në Bazën Detare të Pashalimanit, në kuadër të aktivitetit të NATO-s Neptune Strike 26-4. Në stërvitje morën pjesë anijet luftarake turke TCG Anadolu dhe TCG Gaziantep, mjete ajrore dhe Grupi i Bordingut Shqiptar.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, aktiviteti kishte në fokus rritjen e gatishmërisë operacionale, bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë, me synimin për një NATO më të fortë dhe më të sigurt. Stërvitja synonte gjithashtu të testonte gatishmërinë luftarake dhe aftësinë e forcave aleate për të vepruar së bashku në operacione detare dhe shumëdimensionale.
Anadolu Agency raportoi se TCG Anadolu mori pjesë në fazën e katërt dhe të fundit të stërvitjes. Në Bazën Detare të Pashalimanit u zhvilluan demonstrime nga anija turke dhe mjete të tjera ushtarake pjesëmarrëse. Në to u përfshinë edhe helikopterë dhe dronë turq Bayraktar TB3. Në ditën e vëzhguesve të shquar ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, së bashku me zyrtarë të tjerë turq dhe shqiptarë, të cilët vizituan anijen.
Sipas njoftimit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, të cituar nga Anadolu Agency, faza Neptune Strike 26-4 drejtohej nga Forcat Detare Sulmuese dhe Mbështetëse të NATO-s (STRIKFORNATO). Ajo bashkoi 17 vende aleate, më shumë se 20 anije detare dhe 40 avionë, për rreth 52 aktivitete të koordinuara. Cikli i stërvitjes shtrihej nga Mesdheu deri në Detin Baltik dhe përfshinte operacione në të tria Zonat e Operacioneve të Përbashkëta të NATO-s.