Ministria e Jashtme e Francës ka publikuar një njoftim zyrtar për shtetasit francezë që ndodhen në Kosovë, duke i këshilluar ata të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditës së nesërme, më 16 shtator. Sipas njoftimit, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e vendit.
Autoritetet franceze kanë udhëzuar shtetasit e tyre të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të shmangin çdo lëvizje apo udhëtim të panevojshëm brenda qyteteve dhe në nivel vendi deri në përfundim të ditës. Ndonëse njoftimi nuk përmend specifikisht shkakun e organizimeve, kjo datë përkon me shpalljen e aktgjykimit për rastin Thaçi dhe të tjerët në Gjykatën Speciale në Hagë.
Përveç Francës, edhe përfaqësi të tjera diplomatike dhe misione ndërkombëtare të pranishme në Kosovë kanë adresuar thirrje të ngjashme për stafin dhe shtetasit e vendeve që përfaqësojnë, duke kërkuar shmangien e grumbullimeve dhe kufizimin e lëvizjeve gjatë kësaj dite.
Përditësime
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë lëshoi një njoftim sigurie për datën 16 shtator, duke konfirmuar rrezikun e mbylljes së rrugëve dhe vështirësive në qarkullim për shkak të protestave. Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi se aktgjykimi do të shpallet për të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.