Ermal Frashëri, pedagog dhe ekspert me bazë në Shtetet e Bashkuara, ka komentuar në emisionin “Balkan Talks” pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Ajo mori pjesë në firmosjen e themelimit të “Bordit të Paqes” për Gazën. Frashëri u ndal te mirënjohja e shprehur nga Osmani ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump për aktin e autorizimit të mbrojtjes kombëtare.
Sipas tij, përfshirja e Kosovës në një akt federal të miratuar nga Kongresi amerikan krijon parashikueshmëri të qartë dhe bën që administrata amerikane t’i kushtojë vëmendje të shtuar vendit.
Frashëri tha: “E pashë si një surprizë të këndshme që një vëmendje e tillë për Kosovën të reflektojë në një hallkë që miraton Kongresi. Që Kongresi të jetë kaq specifik sa të fusë një parashikueshmëri për Kosovën dhe një sërë veprimesh që i tërheqin vëmendje administratës amerikane që t’i kushtojë më tepër rëndësi Kosovës, është një gjë që nuk ndodh zakonisht.”
Ai theksoi se Kosova ka arritur një lobim të fortë në Kongres për të futur këtë parashikueshmëri në aktin federal. “Nga ana tjetër, mendoj se Presidentja Osmani ka bërë mirë që ka falënderuar Trump-in. Ndonëse ky është një akt i Kongresit, prapë ka falënderuar udhëheqjen e Trump-it, është një veprim i saktë.”
Sipas ekspertit, kjo do të japë një dimension personal dhe pikë reference në raport me Departamentin e Shtetit.