Gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Parlamentin Europian, eurodeputeti Fredi Beleri shprehu rezerva të forta mbi ecurinë e reformave në vend. Sipas Belerit, ata që vlerësojnë se vendi është gati për anëtarësim kanë një imazh të gabuar të situatës reale.
Në fjalën e tij, Beleri u ndal te sistemi i drejtësisë, duke theksuar se ka gjyqtarë në Shqipëri të cilët përballen me hetime në shtete të tjera të Bashkimit Europian. Ndonëse nuk përmendi emra, ai la të kuptohet për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka. Eurodeputeti deklaroi se procesi i vettingut ka pasur mangësi, ndërsa theksoi se për çështjet që lidhen me ish-Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, janë shfaqur padrejtësi nga ana e institucioneve të drejtësisë.
Sipas Belerit, në Shqipëri ka një ndikim të grupeve kriminale, të cilat, sipas tij, po përfitojnë nga vendimet e kryeministrit Edi Rama për të dhënë toka në bregdet për investime në resorte luksoze. Ai shtoi se në 12 vitet e fundit ka pasur vështirësi në zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe vuri në pikëpyetje pavarësinë e pushteteve në vend. Përfundimisht, ai theksoi se pa një sistem gjyqësor të pavarur dhe ndarje të qartë të pushteteve, integrimi në Bashkimin Europian mbetet i vështirë.