Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e skemave të reja lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve nga faturat e energjisë elektrike, të krijuara deri më 31 dhjetor 2024. Skema prek të gjitha kategoritë e klientëve, me fokus të veçantë te kategoritë në nevojë.
Kategoritë në nevojë
Aktmarrëveshjet përfshijnë klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund të lidhin aktmarrëveshje edhe për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2025, duke nisur nga 1,200 lekë çdo muaj, me kusht mos të kenë detyrime të reja të pashlyera për vitin 2026.
Klientët e tjerë familjarë paguajnë këste fikse mujore që nisin nga 2,800 lekë për faturat e prapambetura deri më 31 dhjetor 2024, pa krijuar debi të reja për periudhën 2025–2026. Numri maksimal i kësteve është 240. Klientët mund të zgjedhin vlerë më të lartë se minima, duke respektuar kufirin prej 240 këste.
Kategoritë buxhetore dhe jo-buxhetore
Për këto kategori, aktmarrëveshjet përfshijnë të gjithë detyrimin për faturat deri më 31 dhjetor 2024, me numër kësteve sipas vlerës së debisë, pa debi të reja për 2025–2026:
- 24 këste: 100,000–500,000 lekë
- 48 këste: 500,001–1,000,000 lekë
- 60 këste: 1,000,001–5,000,000 lekë
- 84 këste: 5,000,001–10,000,000 lekë
- 120 këste: mbi 10,000,000 lekë
Skema speciale
OSHEE Group ka miratuar një skemë të veçantë për faturat korrektive, përmbledhëse dhe sistemuese, rastet e demontimit ose testimit të matësit, si dhe energjinë e akuluar në matës. Këto detyrime likidohen me deri në 24 këste.
Përditësime
FSHU njofton reduktimin ose faljen e kamatave të vonesës deri në 100% për debitorët që përfitojnë nga skemat e reja të pagesës me këste të debive të energjisë.