Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës u mbajt ceremonia e përfundimit të Kursit për Rreshtermajor Gjenerata 03-2026 më 9 mars 2026.
Ky kurs përfaqëson një nivel të avancuar të zhvillimit profesional për nënoficerët e FSK-së dhe synon përgatitjen e tyre për marrjen e përgjegjësive më të larta brenda strukturës së lidershipit të trupës së nënoficerëve.
Kursantët kaluan një program të strukturuar arsimor dhe profesional përmes këtyre moduleve:
- Moduli i Studimeve Profesionale;
- Moduli i Udhëheqjes;
- Moduli i Menaxhimit të Forcës;
- Moduli i Operacioneve Ushtarake dhe Operacioneve të Përbashkëta Ndërinstitucionale.
Përmes këtij programi, kursantët thelluan njohuritë profesionale, zhvilluan aftësitë e lidershipit dhe avancuan kapacitetet për të përkrahur komandantët në planifikim, menaxhim dhe realizim të detyrave brenda FSK-së.
Përfundimi me sukses i kursit shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Gjeneratës 03-2026, të cilët pritet të kontribuojnë në forcimin e trupës së nënoficerëve, rritjen e standardeve profesionale dhe avancimin e kapaciteteve institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.