Eurodeputeti Michael Gahler foli në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian për vizitën e fundit në Shqipëri, të zhvilluar javën e kaluar. Ai vlerësoi se kjo vizitë dha një pasqyrë të qartë mbi situatën në terren dhe theksoi se progresi drejt integrimit në BE matet me rezultate konkrete në praktikë, jo me deklarata politike.
Gahler falënderoi kolegët, përfshirë Shiederin dhe raportuesin e EPP-së, me të cilët shprehu pothuajse plotësisht dakordësi. Ai përmendi takimin e këndshëm me Kryeministrin gjatë një darke, por nënvizoi se kjo nuk e shpërqendron vlerësimin objektiv të realitetit, veçanërisht në lidhje me kapitujt e negociatave të hapur apo të mbyllur.
Sipas tij, shqetësimet e ngritura nga organizatat e shoqërisë civile ishin veçanërisht domethënëse. Ato nxorën në pah ekzistencën e strukturave të rrënjosura korruptive dhe aktivitete të krimit të organizuar, që shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit. Gahler solli si shembull rastin e Belinda Balluku, ku Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i dha të drejtë veprimit të SPAK-ut, por mazhoranca refuzoi heqjen e imunitetit.
Ai deklaroi se BE duhet të insistojë që shteti i së drejtës të zbatohet pa përjashtim për të gjithë dhe që strukturat problematike të çmontohen para çdo hapi drejt anëtarësimit. Struktura të tilla nuk duhet të importohen në Bashkimin Evropian.