Gjatë takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, deputeti Gazment Bardhi ngriti shqetësimin lidhur me procedimet penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Bardhi theksoi se Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet votimit kundër heqjes së imunitetit, ka shërbyer si mburojë politike ndaj hetimeve të SPAK-ut.
Sipas Bardhit, SPAK ka njoftuar kohët e fundit zbulimin e një tjetër rasti korrupsioni, duke e çuar në 2 numrin e vilave luksoze të sekuestruara në jug të vendit në harkun kohor të 3 muajve, të cilat dyshohet se janë përfituar në këmbim të paracaktimit të fituesve në tendera publikë. Aktualisht, ndaj Ballukut rëndojnë një sërë akuzash:
- 2 akuza për korrupsion;
- 2 akuza për pastrim parash në bashkëpunim;
- 2 akuza për fshehje pasurie;
- 8 akuza për shkelje të barazisë në tendera.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu një projektligj të depozituar në Kuvend, i cili sipas tij synon forcimin e imunitetit për zyrtarët e lartë, duke kufizuar hapësirat vepruese të organeve të drejtësisë. Nga ana tjetër, eurodeputetja Isabel Wiseler-Lim u shpreh se vendimmarrja për imunitetin është kompetencë e Kuvendit, duke shtuar se institucioni duhet të reagojë nëse SPAK paraqet një kërkesë të re.
Sipas të dhënave nga Faktoje.al, procedimi penal ndaj Belinda Ballukut (nr. 167) ka nisur më 9 gusht 2024, ndërsa ajo ka marrë statusin e personit nën hetim më 20 tetor 2025. Akuza fillestare ka qenë ajo për shkelje të barazisë në tendera, ndërkohë që më vonë janë shtuar dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Përditësime
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i kërkoi zyrtarisht SPAK-ut riparaqitjen e kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Kërkesa pason zbulimin e provave të reja që lidhin Ballukun me paracaktimin e fituesve në tendera publikë, në shkëmbim të përfitimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht 2 vila.
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj akuzoi kryeministrin Edi Rama për mbajtjen e qëndrimeve politike në lidhje me heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ahmetaj pretendon se vonesa është e qëllimshme dhe shërben si mekanizëm për fitimin e kohës. Sipas tij, kryeministri Rama synon përdorimin e kësaj kërkese si levë politike në raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe përballë presioneve nga protestat e brendshme.