Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka shprehur qëndrimin e saj mbi mundësinë e rikthimit të Hashim Thaçit në detyrën e kreut të shtetit, në rast të lirimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë. Gjatë një diskutimi në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo vlerësoi se, në rrethana normale, kthimi i Thaçit në Kosovë do të duhej të shoqërohej me një akt solemn dhe unanim nga skena politike për ta rizgjedhur atë president.
Sipas Musliut, ky veprim do të ishte një përgjigje institucionale ndaj faktit që Thaçi dha dorëheqjen për t'u përballur vullnetarisht me drejtësinë ndërkombëtare. Megjithatë, deputetja vlerësoi se, për shkak të situatës aktuale politike, Kosova nuk po funksionon sipas standardeve të një shteti normal.
Në këtë kontekst, Musliu theksoi se vëmendja mbetet e përqendruar te zhvillimet e datës 16 shtator, duke shprehur besimin se procesi gjyqësor do të përfundojë me triumfin e drejtësisë për ish-presidentin.