Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka sqaruar pozicionin e tij lidhur me dinamikën e punës në organin ligjvënës, pas kritikave të opozitës. Në një deklaratë për mediat, Gashi theksoi se vendimi për të dërguar për miratim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të merret kur të vlerësohet se janë krijuar rrethanat e duhura, duke shtuar se kjo do të ndodhë brenda një periudhe të afërt.
Përgjigjja ndaj akuzave të opozitës
Lidhur me tensionet në Komisionin për Arsim, ku nuk u shqyrtuan tri propozim-ligje për arsimin e lartë, Gashi sqaroi se kryetari i Kuvendit nuk thërret mbledhjet e komisioneve, detyrë kjo që i takon kryetarëve përkatës të tyre. Ai i cilësoi akuzat e opozitës si keqpërdorim të situatës.
Çështja e incizimeve të sigurisë
Një tjetër pikë e kontestuar nga LSDM dhe opozita është kërkesa për publikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, ku dyshohet se është regjistruar një incident në të cilin ishte i përfshirë deputeti Stoillkoviq. Gashi refuzoi këto kërkesa, duke argumentuar se ligji e ndalon publikimin e disa llojeve të incizimeve.
"Çdo incizim që kërkohet jepet, përveç atyre që janë të ndaluara me ligj. Nëse dikush mendon se duhet të shkelet ligji për t’i shërbyer apetiteve të portaleve për lajme ekzibicioniste, nuk jam personi i duhur për atë pjesë", deklaroi Gashi.