Besa Gaxherri, anëtare e LDK-së, deklaroi se Vjosa Osmani po kthehet në shtëpinë e vet në këtë parti. Kjo erdhi pas mbledhjes së zhvilluar sot midis kryesisë dhe kryetarëve të degëve, ku u diskutua për procesin zgjedhor dhe bashkëpunimin me Osmanin.
Në emisionin Tëvë1, Gaxherri bëri të ditur se partia ka hyrë në përgatitjet për zgjedhje. Ajo tha: «Sot ka pasur një takim të kryesisë dhe kryetarëve të degëve. Ne kemi hyrë tash në procesin zgjedhor dhe po i bëjmë përgatitjet tona. Është paralajmëruar një bashkim apo një kthim i Vjosa Osmanit në LDK. Kjo çështje nuk është krejt e lehtë, sepse secili veprim ka historikun e vet. Të gjithë gabojmë dhe duhet të reflektojmë. Mua më vjen shumë mirë që Vjosa ka vendosur të mendojë për këtë çështje. Nga takimet që kam me elektoratin, ata po e presin këtë bashkim dhe po thonë se ajo duhet të kthehet».
Gaxherri shtoi se Osmani duhet të rikthehet në LDK për të krijuar një frymë të re bashkëpunimi. Ajo u shpreh: «Unë mendoj se, nëse dëshiron të hyjë në garë, Vjosa duhet të kthehet në shtëpinë e vet. Ajo duhet të krijojë një sinergji pozitive bashkë me Lumir Abdixhiku dhe me të gjithë ne. Duhet t’i besojmë vetes për fitore fillimisht dhe pastaj të dalim para qytetarëve, sepse ata po na mbështesin dhe e duan këtë bashkim. Kjo duhet të bëhet për Kosovën».
Ndryshe, një muaj më parë, Gaxherri nuk u përfshi në listën e Kryesisë së LDK-së. Ajo kishte thënë se për këtë duhet pyetur Lumir Abdixhiku. Deklaratat e saj vijnë në kohën kur brenda LDK-së zhvillohen diskutime për bashkëpunim të mundshëm me Vjosa Osmanin në zgjedhjet e ardhshme.