Vincent Yūsui van Gerven Oei, gazetar dhe shkrimtar holandez, rrëfeu se u shoqërua nga policia gjatë protestës së fundit në Tiranë dhe kaloi pesë orë në Komisariatin nr. 3, në rrugën Mine Peza. Në shkrimin e tij, të botuar nga The Albanian Mechanism, ai përshkruan ndalimin, përdorimin e gazit lotsjellës, prangosjen dhe qëndrimin në qelinë e ndalimit.
Sipas dëshmisë së tij, rreth pesë efektivë policie e ndaluan teksa po largohej nga zona e protestës pranë Parkut Rinia. Mes efektivëve pati diskutime nëse duhej ta shoqëronin apo ta linin të lirë, ndërsa gazetarit nuk iu dha një arsye konkrete për ndalimin. Ai tha se u dërgua në komisariat i prangosur, së bashku me Jonin, një kamarier nga Librazhdi, dhe me sytë e verbuar nga gazi lotsjellës.
Van Gerven Oei e nis shkrimin me kujtimin e vizitës së tij të parë në Komisariatin nr. 3, në vitin 2010, kur aplikoi për leje qëndrimi njëvjeçare. Ai përshkruan ambientet e atëhershme si të errëta dhe të amortizuara, pranë godinës së paraburgimit. Rrëfen se më pas iu desh të kalonte nëpër disa institucione për të mbledhur dokumentet e nevojshme: Ministrinë e Punës, Dhomën e Tregtisë, Zyrën e Tatimeve dhe Bashkinë e Tiranës.
Gazetari krahason atë përvojë me zhvendosjen e zyrës së migracionit në Laprakë, ku, sipas tij, procedurat ishin më të centralizuara dhe ambientet më të rregullta. Më vonë, zyra u zhvendos në Sharrë, në ambientet stërvitore të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ai shkruan se zyra priste qytetarët nga ora 12:00 deri në 14:00, se nuk kishte tabelë orientuese dhe se punonjësit i kërkonin dokumente të tjera, megjithëse ai kishte përgatitur ato të renditura në faqen e Ministrisë së Brendshme.
Në rrëfim, ai kujton edhe protestat e 21 janarit 2011, të cilat, sipas tij, shënuan fillimin e karrierës së tij si gazetar që mbulon Shqipërinë. Ai i lidh ato me protestat e fundit dhe përshkruan tensionet përpara Ministrisë së Arsimit, përplasjet mes grupeve protestuese dhe ndërhyrjen e policisë. Sipas Politiko-s, gazetari tha gjithashtu se iu ndalua kontakti me ambasadën.