Profesori dhe avokati britanik, Geoffrey Nice, ish-prokuror në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ka deklaruar se Gjykata Speciale është ndikuar nga objektiva politike që në fillimet e saj, pas publikimit të Raportit të Dick Martyt. Në një intervistë për T7, ai theksoi se pas një angazhimi 15-vjeçar në këtë çështje, ka arritur në përfundimin se zhvillimet lidhur me këtë raport në Këshillin e Evropës përmbanin elemente të një natyre jojuridike.
Sipas Nice, raporti, i cili përmbante pretendime të rënda se Hashim Thaçi dhe persona të tjerë ishin të përfshirë në marrjen me forcë të organeve, shënoi momentin kur u shfaqën treguesit e parë se gjykata drejtohej nga objektiva të paqarta politike. Lidhur me aktgjykimin e shpallur ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Nice e cilësoi dokumentin e publikuar si një përmbledhje të kufizuar, e cila nuk ofron qartësi të mjaftueshme për publikun.
“Aktgjykimi bën pohime kategorike, por nuk identifikon në mënyrë konkrete provat që lidhin të akuzuarit me krimet për të cilat gjykata ka konstatuar se janë provuar”, ka deklaruar ai. Avokati britanik shpjegoi se një analizë e detajuar është e vështirë të realizohet për shkak se një pjesë dërrmuese e materialeve janë trajtuar në seanca të mbyllura.
Ai paralajmëroi se publiku mund të presë një kohë shumë të gjatë për të parë aktgjykimin e plotë. “Për shkak të sasisë së madhe të provave që janë paraqitur në seanca të mbyllura, versioni i plotë mund të mos jetë i disponueshëm për publikun e gjerë për dhjetëra, apo ndoshta edhe njëqind vjet”, ka përfunduar Nice.