Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, së bashku me zëvendësministrin e Drejtësisë Genc Nimoni, priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves. Takimi u përqendrua në përparimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve që garantojnë sundim të palëkundur të ligjit dhe integritet të plotë të sistemit të drejtësisë.
Ministrja Gërvalla vlerësoi lart bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, me fokus të veçantë në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke e cilësuar atë si bashkëpunim të përhershëm, të qëndrueshëm dhe të shumëanshëm. Ajo theksoi se Republika e Kosovës vlerëson vazhdimisht mbështetjen britanike në proceset reformuese, forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve, sidomos përpjekjet për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore.
Gjatë bisedës, Gërvalla përmendi procesin e vettingut, ndërmarrjen e reformave në sistemin e drejtësisë si dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilat i cilësoi parakusht për një drejtësi që nuk toleron kompromis.
Ajo deklaroi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vijë e prerë e mandatit të tyre. Republika e Kosovës do të qëndrojë e vendosur që çdo abuzim të ndëshkohet dhe çdo qytetar të gëzojë drejtësi reale, të qasshme dhe të pakompromentuar. Sipas saj, vetëm kështu shteti forcon institucionet, garanton drejtësi funksionale dhe transparencë, duke e mbajtur sundimin e ligjit prioritet bazë.