Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar emërimin e Eric Wendt si ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Në një intervistë për emisionin "Puls" në A2CNN, ai e cilësoi këtë vendim si një vlerësim të rëndësishëm që administrata e Presidentit Donald Trump i ka bërë Shqipërisë.
Gjekmarkaj e përshkroi ambasadorin Wendt si një personalitet ushtarak me përvojë në fronte të nxehta konflikti. Sipas tij, autoriteti i tij, i ndërthurur me një qasje të re të politikës amerikane që e sheh Shqipërinë si aleat, do të ndikojë në rikthimin e vendit në "shina kushtetuese" dhe normalitet.
Deputeti demokrat u ndal veçanërisht te hetimet e zhvilluara ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Ai theksoi se organet ligjzbatuese amerikane, si FBI, duhet të jenë të shokuar nga ngjarjet në nivelet më të larta të sigurisë në Shqipëri. Për të ilustruar rëndësinë e kësaj çështjeje, Gjekmarkaj përdori një krahasim të fortë: "Është sikur shefi i CIA-s të bashkëpunonte me një kriminel të rangut të lartë, apo të kontrollohej nga krimi i organizuar, kjo që ka ndodhur në Shqipëri."