Trupi i 20-vjeçarit amerikan, James “Weston” Higginbotham, u gjet të shtunën në një zonë malore pranë Kiotos, pas një operacioni të gjerë kërkimi. Studenti i Universitetit Auburn ishte shpallur i humbur që prej 29 majit, pasi ishte ndarë nga familja e tij për të eksploruar qytetin.
Sipas informacioneve, Weston ishte parë për herë të fundit në pamjet e kamerave të sigurisë në zonën Yamashina, teksa ecte drejt një shtegu pyjor. Prindërit e tij kishin monitoruar lëvizjet përmes aplikacionit Life360, deri në momentin kur sinjali u ndërpre. Hetimet u vështirësuan nga kushtet e rënda atmosferike, konkretisht një stuhi me erë dhe shi të rrëmbyeshëm që goditi rajonin në datën 2 qershor, duke penguar kontrollin fillestar të policisë.
Autoritetet japoneze, në bashkëpunim me mbi 100 oficerë policie, njësi K-9 dhe mjete ajrore, organizuan një operacion të detajuar kërkim-shpëtimi. Pas përfundimit të kërkimeve policore 72-orëshe, ishte një grup vullnetarësh ai që bëri të mundur gjetjen e trupit të të riut. Nëna e tij, Nancy Higginbotham, njoftoi zyrtarisht lajmin dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuan në këtë përpjekje, ndërsa familja ka kërkuar privatësi në këto momente të rënda.