Gerald Funke, gjenerallejtënant dhe shef i Shtabit të Komandës së Përbashkët të Mbështetjes së Bundeswehr-it, deklaroi se Rusia mund të sulmojë vendet e NATO-s brenda dy deri në tre viteve të ardhshme. Sipas tij, Gjermania do të jetë në qendër të një konflikti të tillë.
Ai identifikoi logjistikën dhe transportin e trupave aleate si sfida kryesore në një skenar lufte. Dhjetëra mijëra trupa të NATO-s do të lëvizin drejt vijave të frontit, ndërsa rrugët dhe linjat hekurudhore mund të dëmtohen nga sabotime, sulme kibernetike ose raketa.
"Gjermania duhet të mbetet një qendër logjistike. Nëse një rrugë bllokohet, duhet të kemi alternativa për të garantuar furnizimin", u shpreh ai.
Një problem tjetër serioz është numri i madh i të plagosurve. Ushtria gjermane ka pesë spitale ushtarake me rreth 1.800 shtretër, të cilat mund të mbingarkohen shpejt. Për këtë, autoritetet gjermane kanë nisur përgatitje për të përfshirë spitalet civile, duke i ndarë ato në sektorë për të plagosurit në rast emergjence.