Përfaqësuesit e 16 landeve gjermane kanë miratuar një projektligj të rëndësishëm në seancën e fundit para pushimeve të verës, i cili parashikon sanksione për këdo që mohon publikisht të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar. Propozimi, i iniciuar nga landi i Hessenit, ka kaluar tashmë për shqyrtim të mëtejshëm në Bundestag.
Sipas projektligjit, do të dënohet kushdo që në mënyrë publike ose gjatë tubimeve mohon të drejtën e shtetit izraelit për të ekzistuar ose bën thirrje për shfuqizimin e tij. Megjithatë, nisma ligjore përcakton se vepra do të jetë e dënueshme vetëm në rastet kur këto shprehje inkurajojnë gatishmërinë për të kryer dhunë antisemite ose masa arbitrare ndaj këtij komuniteti.
Ministri i Drejtësisë i Hessenit, Christian Heinz, përfaqësues i partisë CDU, deklaroi se legjislacioni aktual nuk është i mjaftueshëm për të frenuar përhapjen e urrejtjes. Ai nënvizoi se që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, manifestimet antisemite në rrugët e Gjermanisë janë shtuar ndjeshëm, duke kërkuar veprime konkrete ligjore.
Autoritetet sqaruan se ky projektligj nuk bie ndesh me lirinë e shprehjes dhe nuk kufizon kritikën politike ndaj qeverisë izraelite. Gjithashtu, u theksua se masa nuk do të pengojë diskutimet rreth një zgjidhjeje politike paqësore në Lindjen e Mesme, pasi synimi kryesor mbetet frenimi i gjuhës së urrejtjes që nxit dhunën.