Gjermania planifikon t’ua ndalojë shitësve në pikat e karburantit të rrisin çmimet e naftës dhe benzinës më shumë se një herë në ditë. Kjo masë nuk zbatohet për zbritjet e çmimeve.
Ministrja e Ekonomisë Katherina Reiche e bëri të ditur këtë vendim për të luftuar rritjen e shpejtë të çmimeve. Ajo shpjegoi se qeveria synon ta zbatojë masën sa më shpejt të jetë e mundur, për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve të shkaktuar nga lufta me Iranin.
Çmimet e karburanteve rriten jashtëzakonisht shpejt kur çmimet e naftës bruto janë të larta, ndërsa bien ngadalë kur kostot ulen. “Ne duam ta thyejmë këtë mekanizëm”, tha ajo. Masa do të zbatohet përmes një ndryshimi në ligjin kundër monopoleve dhe është modeluar sipas mekanizmit të Austricë që nga viti 2011.
Çmimet janë rritur ndjeshëm që kur Izraeli dhe SHBA filluan sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt. Teherani u përgjigj duke goditur shtetet e Gjirit të pasura me naftë, që strehojnë baza ushtarake amerikane, dhe duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit, rrugë kyçe për furnizimin global me naftë.
Politikanët gjermanë akuzojnë pronarët e pikave të karburantit dhe furnizuesit e naftës se po përfitojnë nga situata duke rritur çmimet para kohe. Reiche njoftoi se Gjermania do të lëshojë një pjesë të rezervave të saj kombëtare të naftës, në përgjigje të kërkesës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, për të lehtësuar tregun.