Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndarë çështjen penale ku i pandehur është kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, së bashku me persona të tjerë. Të pandehurit akuzohen për shkelje të barazisë në tendera gjatë një procedure prokurimi të zhvilluar në vitin 2019, kur Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Trupi gjykues vendosi pranimin e gjykimit të shkurtuar për:
- Benet Becin
- Adela Rukon
- Edlira Mitrushin
- Jonid Kazanin
- Rudin Gjonin
- Yllka Nishkun
Për të pandehurin Premtim Dauti, gjykata vendosi ndarjen e çështjes, i cili do të vijojë me procedurë të zakonshme.
Gjatë seancës, mbrojtësit e të pandehurve kërkuan pushimin e çështjes penale, duke iu referuar ligjit për amnistinë. Sipas mbrojtjes, veprat penale të kryera deri më 31 maj 2026, që parashikojnë dënim deri në 3 vjet burg, duhet të përjashtohen nga ndjekja penale. Prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, njoftoi se qëndrimi zyrtar i prokurorisë për këtë kërkesë do të paraqitet me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa trupi gjykues deklaroi se vendimi për këtë kërkesë do të jepet në përfundim të procesit gjyqësor.
Çështja në fjalë ka nisur pas hetimeve të iniciuara në nëntor të vitit 2024, bazuar në prova të siguruara nga pajisjet elektronike të sekuestruara gjatë hetimeve ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Akuza përqendrohet në procedurën e prokurimit me objekt "Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik".