Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesat e avokatëve të mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, shtetasit Behar Brajoviç dhe Edmond Preka për vrasjen e Gjin Ndojit në gusht të vitit 2020.
Mes provave të pranuara është dërgimi i një letërporosie të re në Francë, për të sqaruar burimin e të dhënave të platformës së komunikimit SKY ECC. Gjykata pranoi gjithashtu kërkesën për të marrë si provë një vendim të autoriteteve gjyqësore holandeze të vitit 2019, i cili nuk lejoi përgjimin masiv të përdoruesve të kësaj platforme.
Në seancën e radhës pritet të nisë pyetja e dëshmitarëve të kërkuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Mes tyre është Jozi Kraja, i njohur me mbiemrin Ndoj, vëllai i viktimës, i ekstraduar në fillim të këtij viti nga Zvicra në kuadër të dosjes “Revanshi”, si dhe partnerja e Gjin Ndojit.
Gjin Ndoji, i njohur edhe si Gjin Boriçi, 27-vjeçar me precedentë penale, u ekzekutua me armë zjarri në Shkëmb të Vaut të Dejës. Ai u gjet i pajetë gjatë orëve të mëngjesit pranë makinës së tij të marrë me qira. Rreth një kilometër larg skenës së krimit, policia gjeti një automjet të djegur, të dyshuar si i përdorur nga autorët. Në atë kohë, pista kryesore ishte ajo e hakmarrjes, pasi viktima jetonte mes Shqipërisë, Holandës dhe Italisë.
Përditësime
SPAK ngarkon Pëllumb Gjokën me akuzën për vrasje me paramendim të Gjin Ndojit në bashkëpunim me grup kriminal, si dhe për vrasjet e Kleant Musabellit, Dorjan Duli dhe Ibrahim Licit, korrupsion aktiv dhe mbajtje armësh.
Akuzat shtesë:
- Behar Brajoviç (Bajri) për vrasjet e Musabellit, Duli dhe Lici;
- Edmond Preka për vrasjen e Musabellit;
- Astmer Bilali për vrasjet e Duli dhe Lici.