Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka pushuar çështjen penale me numër 30/101, të regjistruar më 5 qershor 2025, ndaj Xhelal Mziut. Ai u padit nga ish-kryebashkiaku i Matit dhe deputet i Partisë Socialiste, Agron Malaj, për veprën penale të shpifjes, të parashikuar nga neni 120 pika 2 i Kodit Penal. Vendimi u mor më 15 janar 2026.
Çështja lindi pas një deklarate publike të Xhelal Mziut, bërë një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku ai pretendoi se një automjet po shpërndante para për blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste. Padia e Malajt u depozitua rreth një muaj pas zgjedhjeve.
Sipas vendimit të trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, pushimi erdhi për shkak të mosparaqitjes në seancë të palës akuzuese Agron Malaj dhe mbrojtëses së zgjedhur prej tij, av. M. Gj., pa shkaqe të arsyeshme. Vendimi mbështetet në nenet 59 paragrafi i tretë, 112, 384 dhe 485 të Kodit të Procedurës Penale.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Përditësime
- Vendimi gjyqësor ka numrin nr. 3.
- Xhelal Mziu është koleg demokrat nga i njëjti qark i Dibrës.
Marash Logu, mbrojtësi ligjor i Xhelal Mziut, pretendon se deklaratat e klientit u bënë gjatë fushatës elektorale si drejtues politik i zonës dhe u bazuan në informacione nga strukturat.