Gjykata e Apelit e Kosovës ka miratuar ankesat e mbrojtjes, duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë për rastin e njohur si "Zona Ekonomike e Malishevës". Pas shqyrtimit të provave, trupi gjykues ka konstatuar se nuk është provuar kryerja e veprës penale "keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar" për katër të akuzuarit kryesorë.
Sipas vendimit të Apelit, gjendja faktike në raport me Ragip Begaj, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi ishte vlerësuar gabimisht në gjykimin e mëparshëm. Për rrjedhojë, këta persona janë liruar nga të gjitha akuzat. Gjykata ka vërtetuar gjithashtu aktgjykimin lirues për Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj, ndërsa për të akuzuarin Hajdin Berisha, procedura është pushuar për shkak të vdekjes së tij gjatë rrjedhës së procesit gjyqësor.
Çështja lidhej me aktakuzën e ngritur më 1 korrik 2021 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila pretendonte se të akuzuarit kishin keqpërdorur detyrën gjatë krijimit të Zonës Ekonomike në Malishevë, përkatësisht në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik. Sipas akuzës, qëllimi i këtij veprimi ishte shpronësimi i tokave të blera me çmime të ulëta, nëpërmjet vlerësimit me çmime shumë më të larta.
Vendimi i Apelit, i cili mban numrin APS.nr.12/2025 dhe datën 8 korrik 2025, mbyll këtë proces gjyqësor të profilit të lartë.