Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Fatmir Mediu për akt-ekspertim të shënimit “për z. Shkëlzen Berisha” në një dokument faks, të paraqitur si provë në gjyqin penal për shpërthimin në Gërdec më 15 mars 2008.
Faksimi u sekuestrua në Ministrinë e Mbrojtjes nga SPAK, e cila ka ngritur akuzën për shpërdorim detyre ndaj Mediut. Sipas prokurorisë, Mediu ka shkelur procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, pranë një zone të banuar.
Ish-ministri ka kundërshtuar akuzat dhe gjetjet e ekspertëve. Avokatët e tij kërkuan akt-ekspertim për autenticitetin e shënimit në faks.
Në seancën e fundit, avokatët pretenduan se një sërë aktesh, të referuara nga prokurorët, nuk u vunë në dispozicion nga gjykata. Për këtë, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu për 10 shkurt.
Gjyqi vijon që nga prilli 2023, i rihapur pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, një prej viktimave të shpërthimit në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve. Atje humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.
Përditësime
SPAK konfirmoi përfshirjen e Shkëlzen Berishës me prova.
- Emri i Shkëlzen Berishës rezulton në dosjen hetimore për telefonata me pronarët e kompanive të fabrikës.
- Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi dërgoi faks te Ministria e Mbrojtjes për hapjen e fabrikës.
- Fatmir Mediu dhe Bumçi pretendojnë se shkresa është mashtrim.