Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli të pafajshëm deputetin e Partisë Demokratike dhe sekretarin e përgjithshëm të saj, Flamur Noka, në padinë për shpifje të ngritur nga punonjësi i burgut të Peqinit, Gjergji Vishkulli.
Padia u paraqit më 21 tetor 2025. Ajo lidhej me një denoncim publik të bërë nga Noka në rrjetet sociale, ku ai akuzonte efektivët e burgut të Peqinit se ishin angazhuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit, në mbështetje të kandidates së Partisë Socialiste, Sara Mila. Sipas Nokës, burgu ishte kthyer në shtab zgjedhor të menaxhuar nga i dënuari Suel Çela, ndërsa efektivët ushtronin presione për vota përmes kërcënimeve për largime nga puna.
Në seancë, Noka u përfaqësua nga avokatja Eda Grimçi, e cila deklaroi se SPAK kishte kërkuar pafajësinë e tij. Grimçi theksoi se denoncimi ishte publik dhe u provua, pasi Sara Mila doli më e votuara në Elbasan, ndërsa prokuroria e këtij qyteti ka nisur hetim për të verifikuar pretendimet.
Trupa gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, shqyrtoi materialet hetimore dhe dëgjoi palët. Me vendimin nr. 30, datë 8 prill 2026, gjykata vendosi:
- Deklarimin e pafajshëm të Flamur Nokës për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, pika 2 e Kodit Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
- Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.