Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton mekanizmin administrativ për zbatimin e ligjit të ri kundër dhunës digjitale. Ky mekanizëm i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kompetenca të drejtpërdrejta ndëshkuese ndaj ofuesve të shërbimeve online që nuk zbatojnë vendimet gjyqësore për heqjen e përmbajtjeve të dëmshme.
AKEP vendos gjoba nga 30 mijë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë ndaj platformave që nuk heqin, bllokojnë ose fshijnë përmbajtje si imazhet intime të publikuara pa pëlqimin e viktimës, llogaritë apo fjalëkalimet e përdorura për përndjekje, si dhe profilet ose lidhjet elektronike për ngacmim.
Gjobat përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Subjektet përgjegjëse përfitojnë ulje automatike prej 15% të shumës, nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi. Ato kanë të drejtë ankimi brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.
Ligji zgjeron juridiksionin territorial të autoriteteve shqiptare. Masat zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, por AKEP dhe autoriteti rregullator i medias audiovizive mund të urdhërojnë heqjen ose kufizimin e përmbajtjes pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit.
Gjykata civile mund të urdhërojë ndalimin e kontaktit online dhe offline, si dhe sekuestrimin e mjeteve digjitale të përdorura për dhunë, për sa kohë që këto mjete ndodhen brenda territorit të vendit.
Procedurat, formatet e kërkesës dhe mënyra e njoftimit elektronik do të miratohen me vendim të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor, autoritetit përgjegjës për drejtësinë dhe AKEP-it.