Ministria e Transformimit Digjital ka dorëzuar një urdhër të ri për bllokimin e 104 faqeve të internetit përmes të cilave organizohen në mënyrë të paligjshme lojëra fati online. Sipas njoftimit të Ministrisë, numri i përgjithshëm i faqeve të përfshira në urdhrat e deritanishëm për bllokim arrin në 462.
Urdhri i është dorëzuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE). AKE-ja duhet t’ua përcjellë atë të gjithë operatorëve të rrjeteve të komunikimit elektronik brenda pesë ditëve nga marrja. Operatorët duhet të kufizojnë menjëherë qasjen në faqet e përmendura dhe t’u shfaqin përdoruesve që tentojnë t’i hapin një njoftim zyrtar për arsyen e bllokimit.
Sipas Ministrisë, masat synojnë parandalimin e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në internet dhe kufizimin e qasjes në platformat që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend. Ato synojnë gjithashtu mbrojtjen e qytetarëve nga rreziqet që lidhen me ndarjen e të dhënave personale dhe financiare në platforma të paverifikuara. Ministria thekson se vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së të miturve dhe parandalimit të ekspozimit të tyre ndaj bixhozit online.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos ndajnë të dhëna personale e financiare në faqe të paverifikuara. Prindërve dhe kujdestarëve u ka kërkuar të ndjekin aktivitetet online të fëmijëve dhe të bisedojnë me ta për rreziqet në hapësirën digjitale. Ministria thotë se do të vazhdojë të ndërmarrë masa brenda kompetencave të saj për të luftuar organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit online.
Portalb.mk kujton se në korrik 2025, ministri i atëhershëm i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, nënshkroi urdhrin e tretë për ndalimin e 42 faqeve të reja. Në atë kohë, numri i faqeve të paligjshme të lojërave të fatit të përfshira në bllokim ishte 268.