Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar fillimin e zbatimit të masave ndëshkimore ndaj operatorëve ekonomikë të angazhuar në projektin rrugor Prishtinë–Podujevë. Pas një procesi mbikëqyrjeje, është konstatuar se disa kompani kanë tejkaluar afatet e përcaktuara kontraktuale.
Sipas ministrit Basha, pas marrjes së detyrës, janë zhvilluar takime me sipërmarrësit për të rinegociuar planet dinamike, pasi afatet dhe sigurimet e mëparshme kishin skaduar. Palët kishin rënë dakord për një zgjatje të afateve me kushtin që të hapet një krah i urave për qarkullim dhe pjesa e mbetur e punimeve të përfundohej brenda muajit nëntor. Megjithatë, për shkak të mosrespektimit të planeve të dakorduara, Ministria ka nisur penalizimin financiar të operatorëve. Veçanërisht, për segmentin e Vranidollit, operatori është gjobitur me shumën prej 24 mijë eurosh për punimet e muajit korrik.
Ministri theksoi se kjo qasje nuk do të kufizohet vetëm në këtë projekt, por do të zbatohet në të gjitha kontratat e tjera të Ministrisë ku nuk respektohen detyrimet. Ai shtoi se qëllimi i këtyre masave është garantimi i realizimit të punimeve sipas marrëveshjeve, duke vënë në dukje se për ata që shkelin afatet pa arsye të justifikueshme, nuk do të ketë tolerim.