Ministri i Infrastrukturës Dimal Basha ka njoftuar se punimet për sanimin e dëmtimeve në Ura e Dollcit kanë përfunduar më 5 mars 2026.
Sipas njoftimit të tij në Facebook, pas konstatimit të dëmtimeve në kuadër të zgjerimit të Rrugës Nacionale N9, u kërkua angazhim i menjëhershëm për vlerësim dhe ndërhyrje në terren.
Në afat të shkurtër u ndërmorën të gjitha veprimet teknike të nevojshme për sanimin e dëmtimeve, duke garantuar siguri të plotë për qarkullimin e automjeteve.
"Punimet kanë përfunduar sot dhe ura tashmë është e gatshme për hapje. Trafiku në aksin Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas mund të zhvillohet normalisht", shkroi Basha.
Ai falënderoi qytetarët për mirëkuptimin, si dhe administratën dhe punëtorët për angazhimin efektiv në realizimin e punimeve.